• Keine Ergebnisse gefunden

Rëndësia e mbikëqyrjes financiare të shërbimeve të inteligjencës

Për arsye të hapësirës, ky instrument nuk i trajton rolet që luajnë ekzekutivi, inspektorët e përgjithshëm, prokurorët dhe gjyqësori në mbikëqyrjen financiare të shërbimeve të inteligjencës.

Ky instrument e përkufizon termin «mbikëqyrje financiare» gjerësisht, duke përfshirë funksionet që mund të karakterizohen edhe si ushtrim «kontrolli» (shih Instrumentin 1 – Born dhe Geisler), dhe që ndërmerren para, gjatë apo pas mbikëqyrjes së aktiviteteve financiare.

2. RËNDËSIA E MBIKËQYRJES FINANCIARE TË SHËRBIMEVE TË INTELIGJENCËS

Ekzistojnë katër arsye kryesore përse mbikëqyrja e jashtme e financave të shërbimeve të inteligjencës është e rëndësishme:

▪ Parimet e qeverisjes demokratike kërkojnë që ndarja dhe shfrytëzimi i fondeve publike të vëzhgohen së afërmi.

▪ Të dhënat financiare mund të ofrojnë një pasqyrë të sjelljes dhe punës së shërbimeve inteligjente.

▪ Fshehtësia e shërbimeve inteligjente e kufizon mundësinë që publiku të vëzhgojë aktivitetet e këtyre shërbimeve.

▪ Natyra e punës në inteligjencë krijon një tërësi rreziqesh financiare, duke përfshirë edhe rrezikun e keqpërdorimit të fondeve publike.

2.1 QEVERISJA DEMOKRATIKE NË LIDHJE ME PËRDORIMIN E PARAVE PUBLIKE

Një parim gjerësisht i pranuar i qeverisjes demokratike është që ndarja e fondeve publike duhet të miratohet nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit – që është parlamenti – sepse paratë që ndahen i përkasin publikut. Parlamentet përdorin pushtetin e tyre buxhetor për të formësuar politikat dhe prioritetet e subjekteve qeveritare, për të reflektuar vullnetin e popullit. Me rëndësi po aq të madhe është edhe parimi që shpenzimet publike i duhen nënshtruar shqyrtimit ex post nga parlamenti, si dhe nga organet e pavarura që i raportojnë parlamentit (si ILA-t). Qëllimi i shqyrtimit ex post është që të sigurojë, mes tjerash, që:

▪ Fondet publike janë përdorur për qëllimet për të cilat janë ndarë fillimisht.

▪ Shpenzimet janë bërë në përputhje me ligjin në fuqi (duke përfshirë ligjet për menaxhimin e financave publike, ligjet për prokurimin publik, ligjet anti-korrupsion, si dhe ligjet që rregullojnë aktivitetet e organit në fjalë, p.sh. shërbimit inteligjent).

TETË

▪ Shpenzimet janë bërë në përputhje me politikat qeveritare.

▪ Shpenzimet kanë siguruar vlerën e parave duke arritur qëllimet e vendosura në mënyrë efektive.

Edhe pse këto parime vlejnë njëjtë për gjitha agjencitë qeveritare, përfshirë edhe shërbimet inteligjente, disa vende qëllimisht i përjashtojnë shërbimet e inteligjencës nga disa ligje që rregullojnë shpenzimet e fondeve publike. Një shembull janë edhe Shtetet e Bashkuara në lidhje me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA).2 Në raste të tilla, ekzaminimi i afërt ka rëndësi të veçantë.

2.2 REGJISTRAT FINANCIARË SI INDIKATORË TË SJELLJES DHE PERFORMANCËS

Financat e një agjencie publike zakonisht tregojnë shumë për aktivitetet dhe performancën e saj. Rrallë është e mundur që një agjenci të kryejë detyrën pa shpenzuar para. Kështu, regjistrat e saj financiarë shpesh kanë shenja të aktiviteteve të fshehta, duke përfshirë disa që mund të jenë të paligjshme. Në rastin e shërbimeve inteligjente, aktivitetet e paligjshme, si mbajtja e qendrave të fshehta të burgimit dhe financimi i fshehtë të partive politike vendore, mund të zbulohen brenda dosjeve financiare të shërbimit. Në të njëjtën mënyrë, një zë i tejet i lartë i buxhetit të një departamenti mund të tregojë një performancë të dobët të atij departamenti në këtë aspekt. Kështu, ekzaminimi i të dhënave financiare të një shërbimi i mundëson organeve mbikëqyrëse të identifikojnë aspektet e punës së shërbimit që mund të kërkojnë kontrollim të mëtejshëm.

2.3 FSHEHTËSIA DHE KUFIZIMI I EKZAMINIMIT NGA PUBLIKU

Për arsye se puna e inteligjencës ka nevojë për një nivel tejet të lartë të fshehtësisë, financat e shërbimeve të inteligjencës nuk ekspozohen në të njëjtën shkallë si ato të agjencive tjera qeveritare. Fshehtësia në fushën e tenderave për mallra e shërbime3 kombinohet me përjashtimin e shërbimeve inteligjente nga shumica e ligjeve që rregullojnë qasjen publike ndaj informatave të shtetit, duke kufizuar kështu sasinë e informatave përkatëse që mediat dhe organizatat tjera të shoqërisë civile mund të marrin. Duke marrë parasysh këto kufizime të shqyrtimit publik, ka rëndësi të veçantë që organet e jashtme të mbikëqyrjes të kenë qasje në informata konfidenciale të ekzminojnë nga afër financat e shërbimeve inteligjente.

2.4 MENAXHIMI I RREZIKUT FINANCIAR NË PUNËN E INTELIGJENCËS

Aspektet e veçanta të punës së inteligjencës krijojnë rrezik më të madh që fondet publike të përdoren në mënyrë joefektive apo të parregullt. Shumë nga këto aspekte e bëjnë mbikëqyrjen e inteligjencës detyrë shumë sfiduese.

2.4.1 Rezultatet e pasigurta

Shërbimet inteligjente mbledhin informata për të ndihmuar politikë-bërësit në mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Për të kryer këtë funksion, shërbimet shpenzojnë para; por, asnjëherë nuk mund të jenë të sigurta që me paratë që shpenzojnë do të arrijnë tek informatat që kërkojnë. Për shembull, një shërbim mund të shpenzojë një sasi të madhe të parave për të rekrutuar një informator të huaj vetëm për të parë që informatori ka shumë pak informata me vlerë. Edhe pse këto rreziqe janë të pashmangshme në punën e

inteligjencës, kontrollet e brendshme dhe mbikëqyrja e jashtme mund t’i menaxhojë ato, duke minimizuar humbjen e fondeve publike.

2.4.2 Përfitimet e paprekshme

Edhe pse kostoja financiare e operacioneve është shpesh e dukshme, rezultatet që ato prodhojnë janë shpesh të padukshme. Siç ka vërejtur Auditori i Përgjithshëm i Kanadasë,

“rezultatet – e sidomos efektet përfundimtare – të grumbullimit të inteligjencës, vlerësimit dhe raportimit janë tejet të vështira të maten.”4 Kjo sidomos ka kuptim kur objekti i një operacioni është mosndodhja e një ngjarjeje, si sulmi terrorist. Vetëm një organ mbikëqyrës me njohuri e përvojë të mjaftueshme mund të vlerësojë siç duhet përfitimet e paprekshme të një operacioni të inteligjencës si dhe të përcaktojë nëse ai paraqet vlerën e duhur për paratë e dhëna.

2.4.3 Fshehtësia dhe keqpërdorimi i fondeve publike

Shërbimet inteligjente sigurisht janë të preokupuara që informatat e ndjeshme, si detajet operative dhe identiteti i burimeve të mbeten konfidenciale. Rrjedhimisht, ato i klasifikojnë këto informata, duke kufizuar njohurinë në sa më pak njerëz që është e mundur, edhe mes personelit të vetë shërbimit. Megjithatë, sa më i vogël të jetë rrethi i njohurisë, aq më i madh është rreziku që fondet publike të keqpërdoren. Për shembull, nëse informatat për një informator kufizohen në një zyrtar inteligjence që e “mban” atë informator, atëherë ekziston mundësia që zyrtarët të krijojnë ”agjentë fantazmë” jo-ekzistues me qëllim të keqpërdorimit të fondeve që pretendohen se i paguhen këtyre agjentëve. Edhe nëse informatorët janë realë, rregullat e fshehtësisë mund ta bëjnë më të lehtë për zyrtarët e inteligjencës që të mbajnë paratë që ndahen për informatorë për vete, pa ndonjë rrezik zbulimi.

2.4.4 Konfliktet e interesit

Si pjesë e punës së tyre, zyrtarët e inteligjencës nganjëherë paguajnë fshehtas njerëz për të marrë informata apo shërbime, siç është shfrytëzimi i një shtëpie prej të cilës duhet bërë vëzhgimi. Shpesh, vendimet për njerëzit që duhen paguar dhe shumat e pagesës i mbeten për tu vendosur zyrtarit (e ndoshta edhe eprorëve). Kjo krijon një konflikt të mundshëm interesi, sepse vendimet e zyrtarëve ka mundësi të bazohen jo vetëm në meritat e ofruesit, por edhe në lidhjet personale, e sidomos, duke marrë parasysh natyrën konfidenciale të transaksionit, në masën e besimit që zyrtari ka për atë person. Si rezultat, disa zyrtarë angazhojnë njerëz thjesht sepse i njohin. Zyrtarët gjithashtu mund të paguajnë më shumë, për shkak se ai person është i njohur i afërt. Në disa raste, zyrtarët mund të marrin edhe ryshfet (shih kutinë 1).

TETË 2.4.5 Rreziqet që lidhen me asetet e shpenzueshme dhe të hyrat

Shërbimet inteligjente blejnë një numër të konsiderueshëm të aseteve me një përdorim si pjesë e operacioneve të tyre. Për shembull, ato mund të blejnë vetura të shtrenjta apo të shfryëtzojnë hotele të shtrenjta për t’i mundësuar një agjenti që të lidhet me objekte të pasura gjatë një operacioni. Zyrtarët e inteligjencës mund të kërkojnë të përfitojnë nga mallra të tilla të vlefshme, pasi që nuk janë të nevojshme duke i mbajtur për shfrytëzim personal, duke i tranferuar tek të njohurit, ose duke i shitur dhe duke mbajtur fitimet.

Fakti që këto pasuri janë blerë fshehtas vetëm e rrit rrezikun. Ngjashëm, disa shërbime të inteligjencës themelojnë kompani ”fasadë” për të ofruar mbulesë për aktivitete të fshehta. Disa nga këto kompani mund të krijojnë fitime, duke krijuar rrezikun që zyrtarët në fjalë të mbajnë përfitimet për vete. Për shkak të këtyre rreziqeve, organet mbikëqyrëse duhet të monitorojnë jo vetëm shpenzimet e shërbimeve inteligjente, por edhe asetet dhe të hyrat e shërbimit.

2.4.6 Përdorimi i shërbimeve të inteligjencës për qëllime politike

Keqpërdorimi i fondeve të shërbimeve inteligjente gjithashtu mund të zgjerohet drejt atyre anëtarëve të ekzekutivit që janë përgjegjës për shërbimet inteligjente. Këta zyrtarë shpesh kanë përdorur burimet e shërbimit për qëllime të paligjshme politike përfshirë edhe fondet publike. Kështu, organet mbikëqyrëse duhet të fokusohen jo vetëm në sjelljen e zyrtarëve të shërbimit, por edhe tek raportet e tyre me zyrtarët e ekzekutivit.