• Keine Ergebnisse gefunden

Ndikimi i mbledhjes së informatave në të drejtat e njeriut

Shërbimet e inteligjencës mbledhin informata për të ndihmuar zyrtarët e ekzekutivit në bërjen e politikave dhe në marrjen e vendimeve strategjike dhe operacionale. Mënyra se si ata mbledhin informata duhet të jetë në pajtim me prioritetet dhe vlerat e shoqërisë të cilës ato i shërbejnë.2 Në shtetet demokratike, shërbimet e inteligjencës duhet t’i respektojnë të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe parimet e qeverisjes demokratike përfshirë llogaridhënien, transparencën dhe vendimmarrjen pjesëmarrëse. Procesi i inteligjencës nga ndarja e detyrave deri tek shpërndarja e informacionit duhet të operojë brenda këtyre parametrave.

PESË Mbledhja e informacionit lidhur me kërcënimet e sigurisë mund të ketë ndikim të

drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të individëve.3 Sipas raportit të vitit 2008 të Komisionit Shqyrtues Ministror për Inteligjencë të Afrikës së Jugut, i cili kishte hetuar dyshimet për keqpërdorim të pushtetit nga Agjencia Nacionale e Inteligjencës. “metodat ndërhyrëse të hetimeve, mund të luajnë rol kyç në zbulimin e aktiviteteve kriminale dhe komploteve, por ato gjithashtu mund të keqpërdoren për të shkatërruar proceset demokratike, për të ndërhyrë në aktivitete të ligjshme politike dhe sociale dhe për të krijuar përparësi të padrejtë për disa politikanë dhe parti.”4

Për arsye se përdorimi i metodave ndërhyrëse nga ana e shtetit është gjithmonë i ndjeshëm në aspektin kushtetues dhe politik, përdorimi i tyre nga shërbimet e inteligjencës duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Arsyet për këtë kujdes, ashtu siç janë renditur në raportin e Komisionit Shqyrtues,5 përfshijnë:

▪ Subjekti i hetimit asnjëherë nuk mund të dijë për përdorimin e metodave ndërhyrëse prandaj mund të mos jetë në gjendje që t’i kundërshtojë ato e as ta sfidojë vlefshmërinë e tyre në gjykatë.

▪ Niveli i lartë i fshehtësisë që rrethon metodat ndërhyrëse e zvogëlon aftësinë e organeve mbikëqyrëse për të monitoruar përdorimin e tyre dhe zbulimin e abuzimeve dhe paligjshmërive të mundshme.

▪ Shkalla deri në të cilën metodat ndërhyrëse i shkelin të drejtat e individit për privatësi mund të jetë shumë më e madhe se sa është e nevojshme apo e synuar.

▪ Përtej shkeljes së privatësisë së subjektit, metodat ndërhyrëse shpesh shkelin të drejtat e individit me të cilin kontakton subjekti, ndonëse këta individë nuk janë subjekte të hetimit.

▪ Informatat e ndjeshme për subjektin dhe personat me të cilët subjekti kontakton regjistrohen dhe ruhen nga shërbimet e inteligjencës përtej afatit kohor të hetimeve dhe nganjëherë përdoren për qëllime tjera.

Nganjëherë bëhet dallim ndërmjet përdorimit jashtë vendit dhe brenda vendit të teknologjisë së përgjimit, sepse brenda vendit ekziston rreziku që ekzekutivi të përdorë siteme klandestine të përgjimit për qëllim partiake, siç është spiunimi i kundërshtarëve politikë. Nga ana tjetër, përgjimi i komunikimeve jashtë vendit në përgjithësi nuk e rrezikon rendin demokratik vendor.

Në shtetet demokratike, organet e mbikëqyrjes së inteligjencës kanë të drejtë legjitime dhe shpesh edhe përgjegjësi ligjore për të siguruar që shërbimet e inteligjencës të sillen në mënyrë që është në pajtim me rendin kushtetues. Organet mbikëqyrëse zakonisht kanë fushëveprim që përfshin të gjithë procesin e inteligjencës, por fusha e mbledhjes së informatave kërkon vëmendje të veçantë për shkak të rreziqeve që metodat e fshehta, ndërhyrëse paraqesin për vlerat demokratike. Në mënyrë specifike, organet mbikëqyrëse duhet të monitorojnë nga afër përdorimin e të gjitha metodave të tilla për të siguruar që sjellja e shërbimeve të inteligjencës të mbesë brenda kufijve të ligjit.

3.1 MBROJTJA E SË DREJTËS PËR PRIVATËSI

E drejta që më së shumti kufizohet apo shkelet nga shërbimet e inteligjencës është e drejta për privatësi. Rrjedhimisht, funksioni kryesor i organeve mbikëqyrëse të inteligjencës duhet të jetë që të sigurohen që shërbimet të mbledhin informacion në atë mënyrë që është në pajtim me ligjet vendore dhe ndërkombëtare për të drejtën për privatësi.

Raportuesi special i OKB-së për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore gjatë luftimit të terrorizmit e ka përkufizuar të drejtën për privatësi si

“prezumimin se individët duhet të kenë një fushë të zhvillimit, ndërveprimit dhe lirisë autonome, një ‘sferë private’ me apo pa ndërveprim me të tjerët dhe të jenë të lirë nga ndërhyrja e shtetit dhe të lirë nga intervenimi i tepruar i padëshiruar nga individët tjerë të paftuar.”6

Po kështu, neni 17 i Konventës Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike thotë se:

1. Askush nuk duhet tё jetё objekt i ndërhyrjeve arbitrare ose tё paligjshme nё jetën e tij private, nё familje, në shtëpi ose letërkëmbim, e as duhet t’i shkelet nderi dhe reputacioni i tij nё mënyrë tё paligjshme.

2. Secili ka tё drejtë tё ketë mbrojtje ligjore kundër ndërhyrjeve dhe shkeljeve tё tilla.

Me 167 shtete nënshkruese, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike krijon një bazë për të drejtën ndërkombëtare lidhur me të drejtën e privatësisë. Për shkak se privatësia konsiderohet si e drejtë themelore e njeriut, veprimet e qeverisë që e kufizojnë këtë të drejtë duhet të autorizohen nga ligji kombëtar për qëllime specifike legjitime.

Siç është përcaktuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbrojtja e sigurisë kombëtare është qëllim legjitim për kufizimin e një të drejte të njeriut si e drejta për privatësi. Mirëpo, sipas gjykatës, çdo kufizim i tillë duhet të vendoset në pajtim me ligjin kombëtar, i cila duhet të përmbajë garanci kundër abuzimit dhe instrumente ndërmjetësimi në rast të abuzimeve.7

Përdorimi i metodave të fshehta, ndërhyrëse për mbledhjen e informatave nga shërbimi i inteligjencës përbën kufizim të së drejtës së privatësisë. Prandaj, çdo përdorim i tillë duhet të autorizohen nga ligji kombëtar dhe të përdoret vetëm për qëllime specifike legjitime.

Në Afrikën e Jugut, ish inspektori i përgjithshëm për inteligjencë e ka interpretuar këtë parim si në vijim:

Kufizimi i të drejtave mund të justifikohet mbi bazë të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare. Kufizimet e tilla duhet të kalojnë provën e proporcionalitetit e cila përfshin natyrën e së drejtës dhe rëndësinë e qëllimit të kufizimit. Kështu kompetenca për të mbledhur informacion duhet të barazohet me garanci po aq të forta që mbrojnë të drejtat kushtetuese të qytetarëve dhe ruajnë një shoqëri të hapur dhe demokratike.8

3.2 NDIKIMI I TEKNOLOGJISË NË MBLEDHJEN E INFORMATAVE

Teknologjia moderne e informimit dhe komunikimit bënë të mundshme që individët në mbarë botën të komunikojnë aty për aty me njeri tjetrin dhe mundëson transferimin e menjëhershëm të informacionit në largësi të mëdha. Mirëpo, ajo gjithashtu i mundëson qeverive që të realizojnë survejime në një masë të paparë më parë. Përmes përdorimit të mjeteve të avancuara teknologjike, shërbimet e inteligjencës mund të mbledhin informata në shkallë të madhe, mbledhjen e shumë më shumë informatave se që ato mund t’i absorbojnë dhe analizojnë. Për shkak se kjo mbledhje e informatave bëhet pa dallim, ajo ka potencial që të shkelë të drejtat e njeriut dhe duhet të ndërmerret vetëm brenda kornizës ligjore që e mbron të drejtën e privatësisë.

Sistemi i përgjimit ECHELON përbën një shembull të vlefshëm në këtë drejtim. Ky sistem – i

PESË cili operohet bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Australia, Kanadaja dhe Zelanda

e Re si pjesë e një sistemi kolektiv të sigurisë – përgjon sinjale që kalojnë për në dhe nga satelitët në orbitë. Në vitin 2000, Parlamenti Evropian krijoi një komision të përkohshëm për hetimin e ndikimit të mundshëm të sistemit ECHELON në të drejtat e individëve në kuadër të së drejtës së Bashkimit Evropian (BE). Raporti përfundimtar i komisionit kishte arritur në përfundim se sistemet e përgjimit masiv siç është ECHELON kanë potencial për të shkelur të drejtën e privatësisë sepse ato nuk i përmbahen parimit të proporcionalitetit për sa i përket përdorimit të metodave ndërhyrëse. Ndërkohë që a ka pranuar që sistemet e tilla të përgjimit mund të arsyetohen mbi bazë të sigurisë kombëtare, komisioni ka rekomanduar që përdorimi i tyre të qeveriset nga një legjislacion i qartë dhe i arritshëm dhe që shtetet anëtare të BE-së duhet të krijojnë mbikëqyrje rigoroze.9